Boksierët e Klubit “Dukagjini” shkëlqejnë në turneun e Milanos

Tradita e suksesshme e Klubit të Boksit “Dukagjini” vazhdon. Drejtori i klubit, Hajdin Balaj mori pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit në Milano të Italisë, ku boksierët e klubit arritën rezultate të shkëlqyera.

Ramiz Balaji, trajneri i klubit tha se kanë arritur të sigurojnë fitore bindëse, duke treguar potencial të madh për të ardhmen.

“Sot ishte një ditë e veçantë për familjen Balaj nga Gllareva e Klinës, pasi dy boksierët e saj, Hafiz dhe Emanuel Balaj, treguan talentin dhe përkushtimin e tyre në turneun e boksit në Milano të Italisë”, u shpreh trajneri i klubit.

Emanuel Balaj pati dy ndeshje brenda ditës dhe korri fitore në të dy duelet, duke u stolisur me dy medalje të arta.

Ndërkohë, Hafiz Balaji triumfoi kundër një boksieri italian, duke konfirmuar formën e tij të lartë. Aktualisht, ai është në përgatitje për një sfidë të madhe në muajin prill, ku do të luftojë për një titull në boksin profesionist.

Suksesi i familjes Balaj në boks nuk ka të ndalur, duke dëshmuar se talenti dhe puna e palodhshme janë çelësi i triumfit në këtë sport.

Klubi i Boksit “Dukagjini” ka në përbërje edhe kampionë të Kosovës dhe së shpejti pritet që tre boksierë të tij të debutojnë në boksin profesionist. Ata do të marrin pjesë në një turne të rëndësishëm në kuadër të festivalit “Ikënojmë Lirisë”, duke përfaqësuar denjësisht sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.