Në vitin 2019, Gani Thaçi vëllai i madh i ish-presidentit Hashim Thaçi, kishte dalur në pension të parakohshëm. Për vite me radhë ai ishte njëri nga njerëzit kryesor të Byros Kosovare të Sigurimeve, një institucion i pavarur shtetëror anëtarë të së cilës janë kompanitë e sigurimeve. Në këtë insititucion Thaçi kishte marrë pagë dhe shtesa të majme.
Pensionimi i parakohshëm i Gani Thaçit, vëllait të madh të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, i kushtoi këtij insitucioni mbi 176 mijë euro.
Në vendimin e Asamblesë së BKS-së, të vitit 2019 ky insitucion merrte përsipër që t`i paguhej paga e plotë prej 4 mijë eurove, deri ditën kur Thaçi do të dilte në pension të rregullt.
Kjo nënkuptonte se në total BKS-ja duhej të paguante 168 mijë euro pa pagesat e trustit.
Në vendim, specifikohej se pagesa ndaj Gani Thacit duhej të bëhej në dy këste e jo çdo muaj sikurse merrte pagën. Kjo pagesë më së largu do të duhej të kryhej deri në janar të vitit 2020.
“Shuma e përgjithshme e pagave me rastin e pensionimit do t’i paguhen z. Gani Thaçi është 42 muaj *4,000 euro = 168,000 euro, ndërsa në emër të kontributit pensional, nga punëdhënësi BKS (5%) do të paguhet vlera prej 8,400.00 euro, gjithsej 176,400.00 euro”, thuhej në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme.
Gani Thaçi para se të dilte në pension të parakohshëm mbante pozitën e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike. Paraprakisht për vite të tëra e mbajti pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.
Ishte njeriu më i fuqishëm brenda këtij institucioni, që zëvendëson Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve dhe që përfaqësonte industrinë e sigurimeve në Kosovë.
Ai madje ishte përfshirë edhe në një rrahje me drejtorin e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkollin dhe Kryetarin e Këshillit të Kompanive të Sigurimit, shtetasin slloven Gianni Sokolic.