Bizneset vazhdojnë të kenë borxhe të mëdha ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Aktualisht borxhi i tyre ndaj shtetit është fiks 476 milionë euro, derisa mbledhja e këtij borxhi po vazhdon.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës, ka arritur të mbledhë 76 milionë euro borxhe, por ai vazhdon të jetë i madh.
Mirëpo, borxhi ndaj ATK-së është 476 milionë euro. Ky borxh është mbledhur ndër vite dhe është kryesisht i bizneseve.
“Zvogëlimi i stokut të borxheve është gjithashtu sfidë në vete. Ne përkundër që kemi pasur shumë rezultate të konsiderueshme në avancim të menaxhimit më të mirë të inkasimit të borxheve prapë është sfidë stoku i borxheve”, ka thënë drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.
Murtezaj ka prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-qershor 2022, duke treguar se gjatë kësaj periudhe ATK-ja ka grumbulluar 355 milionë euro të hyra ose 26.5 milionë euro më shumë sesa kishte planifikuar.
Ai ka folur edhe për numrin e punëtorëve. Ai ka thënë se në maj të këtij vitit kanë qenë më shumë se 382 mijë punëtorë të regjistruar, ose 20 mijë më shumë se vitin që shkoi.
Në rritjen e numrit të punëtorëve, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka ndikuar formalizimi dhe vendet e reja të punës.
“Nëse shihen shifrat mujore të raportimit të qarkullimit të prodhuesve, industrisë prodhuese dhe përpunuese, janë dyfish apo trefish më të larta sesa periudha parapanemike, dhe kjo nënkupton që aty patjetër ka pasur angazhim të stafit shtesë dhe nuk flitet për formalizim, ku mund të flitet për formalizim, ndoshta mund të jetë tek sektori i gastronomisë, ku një pjesë mund të ketë qenë formalizim i stafit ekzistues”.