BIK-u pajtohet që të ulet pak gjatësia e minareve për Xhaminë Qendrore, komuna lëshon kushte të reja ndërtimore

Para pak ditëve ka nisur ndërtimi i xhamisë së madhe në Prishtinë.

Pas shumë përplasjeve verbale në mes të Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ka nisur ndërtimi i xhamisë qendrore në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Komuna e Prishtinës e ka pranuar se punët kanë nisur pa leje të ndërtimit, ndërkohë në komunë nuk kanë treguar nëse BIK-u ka nisur punët duke e sfiduar autoritetin e komunës, apo nëse kanë renë në ndonjë ujdi, shkruan lajmi.net.

Megjithëkëtë, në vitin 2017, komuna kishte lëshuar kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit, por lajmi.net ka parë se BIK-u ka aplikuar për kushte të reja ndërtimore në Komunë në fund të tetorit të vitit 2019, kurse me 31 mars, komuna ka ricaktuar kushtet e reja. Menjëherë pas aprovimit të kushteve, BIK-u ka aplikuar për herë të parë për leje të ndërtimit në Maj të këtij viti.

Në kushtet e reja të ndërtimit, shihet se projekti i xhamisë ka pësuar një ndryshim të vogël, gjatësia e minareve dhe lartësia e kupolës janë ulur pak më poshtë, pasi komuna konsideronte se gjatësia e minareve e atakonte dukeshim Planin rregullues të lagjes “Dardania”.

“I ri caktohen kushtet ndërtimore kërkuesit /pronarit, Bashkësia Islame e Kosovës –BIK, sipas kërkesës së datës 25.10.2019 për hartimin e dokumentacionit ndërtimor /projektin kryesor, për ndërtimin e kompleksi “Xhamia Qendrore” në Prishtinë me etazhitet 2B+2S+P+2 Galeri në lagjen Dardania në kuadër të PZHU”, shkruhet në hyrje të këtij dokumenti të cilin e ka parë lajmi.net.

Po sipas këtoj dokumenti, sipërfaqja ndërtimore është 8100m2. Xhamia do të jetë S=29225.10m2/1070703.35m2 mbi tokë, 18521.75m2 nën tokë. Etazhitet 2B+2S+P+2 Galeri.

Destinimi primar i shfrytëzimit të kompleksit dhe ndërtesës do të jetë: destinim fetar –hapësirë për lutje, duke përfshirë edhe hapësirën përcjellëse, si: fontana –abdes hane, zyra, dy apartament për nevojat e komunitetit dhe personelit të xhamisë, hapësira për biblioteka në salla për lexim, salla për takim dhe konferenca, nyje sanitare, kthina teknike, depo doracake, hapësira të garazheve, tri shitore të vogla nga 20m2 për shitje të suvenireve, libra dhe revista fetare etj.

Lartësia maksimale e mbulesës qendrore –kupolës së ndërtesës nga niveli i platosë, nga kuota 0,00 të jetë –është max 45.40 m, kurse i minareve (katër kopola) me nga tri “sherife” max 89.50m, si dhe portaleve hyrëse në xhami, max 20m.

Koficienti minimal të parcelave kadastrale- parcelës ndërtimore, për hapësira gjelbëruese duhet të jetë min 40 për qind (ose min 30 për qind dhe me kulme të gjelbëruara).

“Obligohet poseduesi i kushteve ndërtimore që për etazhet nëntokësorë të ndërtesës –garazheve. Para aplikimit për leje ndërtimore të sigurojë qasje adekuate për automjetet dhe nga rruga “Isa Boletini” në pozitë të volitshme dhe me gjerësi min 8.5m, e cila qasje do të shërbejë për hyrje dhe dalje të veturave dhe automjeteve të zjarrfikësve, dhe e cila do të evitonte ngarkesën dhe tollovinë që do të krijonte vetëm qasja në rrugën “Musine Kokalari” dhe “Dëshmorët e Kombit”. Në të kundërtën projekt propozimi nuk do të jetë i pranueshëm dhe do të obligojë Drejtorinë e urbanizmit të anulojë kushtet ndërtimore”, thuhet në këtë dokument.

Xhamia Qendrore në Prishtinë që shumë vite është njëra nga temave të nxehta që ngjall debat, sa i përket ndërtimit në kryeqytet. Ndërtimi i objektit më të madh të kultit fetar islam në Kosovë, është përcjellë me shumë probleme, që prej ndarjes së parcelës për të, në fillim të vitit 2012. /Lajmi.net/

Projekti i xhamisë, i paraqitur tek kushtet ndërtimore: