I dyshuari për tentim vrasjen e punëtorit të pompës së derivateve “Molika Gas” në Pejë tashmë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës. 25-vjeçari, Maxhid Murati po dyshohet se goditi disa herë me veturë punëtorin e pompës dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes, por nuk e shijoi lirinë gjatë.
Siç njofton Policia, arrestimi i tij u bë pas një pune intensive nga hetuesit rajonal, teksa të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Policia menjëherë iu ka përgjigjur vendit te ngjarjes dhe me të arritur në atë lokacion nga viktima dhe dëshmitaret kanë kuptuar se i dyshuari e kishte goditur me veturë viktimën me ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime të renda trupore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar për tretman mjekësorë në Spitalin Rajonal në Pejë.
Pas intervistimit të të dyshuarit në prezencën e Avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
Gjithçka nisi me një mosmarrëveshje verbale, por punëtori i pompës së benzinës “Molika gas”në Pejë ka pësuar goxha lëndime trupore. Ai u godit disa herë me veturë nga konsumatori që sipas punëtorit posedonte 2 euro false me të cilat tentoi ta kryente shërbimin që mori.
Pasi e goditi me veturë e i shkaktoi lëndime për të cilat u nevojit edhe ndihma emergjente, i dyshuari ka braktisur veturën dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Po ashtu, sipas burimeve të Sinjalit viktima ka pësuar frakturë në gjunjë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se vetura e të dyshuarit është konfiskuar.
“Viktima mashkull kosovar (punëtor në pompë derivatesh) ka pësuar lëndime pasi që i njëjti, dyshohet se është goditur me veturë qëllimisht nga i dyshuari kosovar, dyshohet për shkak të një mosmarrëveshje verbale. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Pejë, ndërsa i dyshuari ka braktis veturën dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Vetura është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga njësitet policore. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar”, thuhet në konfirmimin e Policisë për Sinjalin.