Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të enjten do të niset drejt Evropës. Udhëtimi i dytë si president në kontinentin e vjetër po zhvillohet në rrethana të tjera në krahasim me të parin në qershor.
Udhëtimi me tri ndalesa në Evropë në pranverë ishte një paradë e deklaratave se “Amerika është kthyer”, por vizitat e kësaj jave në Itali e në Britaninë e Madhe pritet të pasqyrojnë një përpjekje për t’i bashkuar partnerët e ShBA-së kundër sfidave më urgjente të botës, shkruan CNN.
Klima është temë për pritet të diskutohet të premten në mëngjes mes presidentit amerikan e Papa Françeskut, një takim historik mes presidentit të dytë katolik të ShBA-së dhe klerikut me qëndrime të ngjashme me Bidenin rreth migrimit, pabarazisë në të ardhura dhe mjedisit.
Më vonë, shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm për klimën, gjatë pjesëmarrjes në samitin COP26 në Glasgou të Skocisë.
Bideni ende shihet gjerësisht jashtë ShBA-së si melhem pas katër viteve të pushtetit të Donald Trumpit, prania antagoniste në samite e të cilit shpesh i irritoi aleancat. Sidoqoftë, Bideni do ta gjejë veten para sfidave të freskëta.
Tërheqja kaotike e trupave nga Afganistani i la aleatët të zemëruar dhe skeptikë për vullnetin e Bidenit për të punuar së bashku për çështjet globale. Marrëveshja me Australinë për nëndetëse me energji bërthamore e zemëroi Francën aq shumë, saqë kryediplomati francez tha se ky veprim mund të ishte bërë nga Trumpi. Ky krahasim e ka irritur thellësisht presidentin amerikan, sipas një personi të afërt me çështjen.
Duke folur para nisjes së Bidenit për në Evropë, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha se ShBA-ja dhe Evropa janë të bashkuara para samiteve të kësaj jave, pavarësisht zhvillimeve të muajve të fundit.