Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Serbisë.
Në mesazhin e urimit, Biden ka konstatuar se Serbia bëri progres në dialogun me Kosovën. Ai i tha Vuçiqit se Ballkani është në interes të SHBA-së, duke e inkurajuar “të vazhdojë me progresin e vitit të kaluar në dialogun me Kosovën”, raporton N1, mediumi që shërben si filial i CNN-it në Beograd.
E inkurajoj Serbinë që të vazhdojë me progresin e vitit të kaluar në dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Europën”, thuhet në mesazhin e Biden.
Në emër të popullit të SHBA-së, Biden i dërgoi “urimet më të mira” Vuçiqit.
SHBA vlerëson mbështetjen që Serbia i dha Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial kur u përball me pushtimin brutal të Rusisë”, thuhet ndër tjerash në mesazhin e presidentit të SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi. Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interesin e SHBA-së dhe Serbisë, dhe në të ardhmen pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike”, shton Biden.
“Forcat tona të armatosura vazhdojnë të shërbejnë krah për krah në Sinai, duke promovuar paqen dhe sigurinë rajonale. Pjesëmarrja e Serbisë në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ka qenë gjithashtu çelësi për mbështetjen e stabilitetit në pjesë të tjera të botës”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit të SHBA-së dërguar në Beograd.