BETOHET USHTARI MË I RI, VAZHDON TRADITËN FAMILJARE NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Asllan Raci është njëri nga 325 ushtaret e rinj i cilit sot është betuar që do të shërbejë vendit në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai mban emrin e gjyshit të tij, i cili i kishte bërë konak Komandantit Legjendar Adem Jashari në vitin 1992.

Familja Racit nga Siqeva e Klinës në vazhdimësi ka dhënë kontribut në çështjen kombëtare. Asllani është ushtari i më i ri i cili na bën krenar, ai ka kaluar me sukses trajnimin bazik prej 9 javësh në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

Asllani sot u betua solemnisht se do të jetë i përkushtuar dhe do t’i qëndrojnë plotësisht besnik Republikës së Kosovës, ky betim vjen natyrshëm në rrjedhën e kontributit familjar brez pas brezi në shërbim të atdheut. Familja Raci, ishte strehë e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së me një kontribut të jashtëzakonshëm. Kjo familje sot kontribuon në institucionet e sigurisë në role të ndryshme, si në Forcën e Sigurisë së Kosovës po ashtu edhe në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës.