Besim Mulaj: “Të fala nga Kaliqani, Rugovistët janë ngritur në këmbë!”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Besim Mulaj, ka shpërndarë mesazhe të fuqishme nga vendlindja e tij, Kaliqani, duke shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që mori nga qytetarët e Rugovës.

Mulaj theksoi se ndjen një krenari të veçantë që kthehet në Kaliqan, vendin ku filloi shkollën fillore, këtë herë si kandidat për deputet. “Aty ku fillova si nxënës i shkollës fillore, të kthehesha si kandidat për deputet, është ndjenjë që nuk përsëritet,” u shpreh Mulaj.

Ai theksoi se Kaliqani, një bastion i përhershëm i LDK-së, i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme fushatës së tij. “Sot, Kaliqani na nderoi me një pjesëmarrje dhe mobilizim të jashtëzakonshëm. Faleminderit kryetarit të nëndegës, z. Ruzhdi Metaj, dhe të gjithë pjesëmarrësve për këtë organizim që po e vulos fitoren tonë të pashmangshme më 9 shkurt,” tha Mulaj.

Në përfundim, ai bëri thirrje për bashkëpunim dhe angazhim të gjithsecilit, duke theksuar se vetëm bashkë mund të bëjnë ndryshimin që qytetarët e meritojnë: “Vetëm bashkë e bëjmë ndryshimin!”