Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me bllokimin e veprimtarisë së mbi 400 bizneseve, pas miratimit të Ligjit për Menaxhimin e Pronës Publike. Në një postim publik, Mulaj ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke e cilësuar atë si një “qeveri praktikantesh”, e cila, sipas tij, ka dështuar të krijojë një njësi të re përgjegjëse për rinovimin e kontratave të qirave me Agjencionin e Pyjeve të Kosovës.
“Njësia për Menaxhimin e Pronës Publike, që është përgjegjëse për këtë proces, ende nuk është krijuar, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga hyrja në fuqi e ligjit,” tha Mulaj. Ai theksoi se, për shkak të këtij dështimi, Agjencioni i Pyjeve nuk ka më autoritet për të vazhduar kontratat ekzistuese, duke sjellë pasiguri dhe kaos për bizneset që kontribuojnë në ekonomi, krijojnë vende pune dhe mbështesin mijëra familje.
“Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie janë duke dëmtuar rëndë bizneset dhe mirëqenien e qytetarëve. Një qeveri që nuk është në gjendje të krijojë një njësi të thjeshtë për më shumë se një vit nuk mund të udhëheqë një vend,” deklaroi ai.
Mulaj premtoi se, me ardhjen e LDK-së në qeverisje, ky problem do të zgjidhet brenda muajit të parë. “Kosova nuk ka kohë për eksperimente dhe vendime të pamatura. Bizneset tona meritojnë siguri ligjore dhe një qeveri që punon për ta, jo një qeveri që krijon kaos,” përfundoi ai.
Në fushatën e tij, Mulaj ka vendosur theksin te mbështetja për bizneset dhe ekonominë vendore, duke premtuar reforma konkrete për zgjidhjen e krizave të tilla.