Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Besim Mulaj, ka reaguar pas vizitës së Kryeministrit Albin Kurti në fshatin Orroberdë dhe familjen e dëshmorit Nazmi Muzliaj. Në një deklaratë të hapur, Mulaj vlerësoi vizitën si një akt të denjë për respekt, duke theksuar rëndësinë e përkujtimit të figurave historike që sakrifikuan për lirinë e vendit.
“Vizita juaj në Orroberdë dhe familjen Muzliaj është një gjest që pasqyron përkushtimin ndaj historisë sonë dhe sakrificave të atyre që na sollën lirinë. Por njëkohësisht, kjo vizitë na bën thirrje për përgjegjësi në përfaqësimin e saktë të jetës dhe veprës së këtyre heronjve,” u shpreh Mulaj.
Duke kujtuar veprimtarinë e gjerë të Nazmi Muzliajt, Mulaj theksoi se ai ishte më shumë se një figurë lokale. “Nazmi Muzliaj ishte një intelektual dhe veprimtar kombëtar, i cili luajti një rol kyç në furnizimin e zonave të luftës me ndihma përmes LDK-së. Ai ishte gjithashtu themelues i Teatrit Komunal të Istogut dhe një nga kontribuesit kryesorë të gazetës ‘Kronika’,” shtoi ai.
Mulaj ftoi që në të ardhmen të tregohet më shumë kujdes në përfaqësimin e plotë të kontributit të personaliteteve si Muzliaj, duke theksuar se figura të tilla mishërojnë frymën e përkushtimit kombëtar dhe duhet të frymëzojnë brezat e ardhshëm.
“Në Orroberdë, ashtu si në çdo shtëpi shqiptare, shtëpia është e Zotit dhe e mikut,” përfundoi ai, duke kujtuar rëndësinë e mikpritjes dhe respektit për bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët.