Besim Mulaj, kandidat i LDK-së për deputet, reagon për vizitën e Kryeministrit Kurti në Orroberdë dhe familjen Muzliaj

Në një reagim të tij publik, Besim Mulaj, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur mirënjohje për vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në Orroberdë dhe në familjen e dëshmorit Nazmi Muzliaj.

Reagimi i plotë i Besim Mulajt:

“I nderuar Kryeministër Kurti,

Vizita juaj në Orroberdë dhe në familjen e dëshmorit Nazmi Muzliaj është një akt që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë. Ky gjest pasqyron rëndësinë që i jepni historisë dhe sakrificave të atyre që na sollën lirinë. Por, njëkohësisht, kjo vizitë na bën thirrje për një përgjegjësi të madhe: për të kujtuar dhe përfaqësuar me saktësi jetën dhe veprën e këtyre figurave të mëdha.

Nazmi Muzliaj nuk ishte thjesht një figurë lokale apo një emër nga Orroberda, siç u përshkrua nga ju. Ai ishte një intelektual dhe veprimtar kombëtar i përmasave të mëdha. Si një nga të ngarkuarit e LDK-së për furnizimin e zonave të luftës me ushqime dhe ndihma, Nazmiu luajti një rol thelbësor gjatë kohëve më të vështira të historisë sonë, duke dëshmuar përkushtim dhe guxim të pashoq.

Veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm brenda Orroberdës. Ai ishte themelues i Teatrit Komunal në Istog, një kontribues kryesor dhe themelues i gazetës ‘Kronika’, si dhe një organizator i palodhur i ndihmave për luftën. Përmes këtyre aktiviteteve, Nazmi Muzliaj mishëronte idealin e një njeriu që vuri interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër. Figura e tij është një shembull frymëzues për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Me këtë rast, ju ftoj që në të ardhmen të tregojmë më shumë kujdes për të përfaqësuar plotësisht historinë dhe kontributin e veprimtarëve si Nazmi Muzliaj, duke njohur në tërësi madhështinë e tyre. Kujtesa jonë kombëtare duhet të ndërtohet mbi vepra të tilla që frymëzojnë unitet dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.

Për fund, më lejoni t’ju kujtoj me krenari se në Orroberdë, ashtu si në çdo shtëpi shqiptare, ‘shtëpia është e Zotit dhe e mikut’.

Me respekt,
Një bashkveprimtar dhe krenar i Orroberdës.”

Në përmbyllje të reagimit, Mulaj përmendi miqtë e ngushtë të Nazmi Muzliajt, duke përmendur se konsultimi me personalitete si Shefqet Gjocaj, Muhamet Mavraj dhe Ismet Mulaj do të kishte ndihmuar për një paraqitje më të plotë të figurës së dëshmorit Muzliaj.