BERZH-i dhe BEI shpallin procedurat për auto-udhën Kijevë-Zahaq, Abrashi e quan lajm të mirë për Kosovën
Prishtinë, 24 dhjetor 2020
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me Arianit Blakaj, bankier kryesor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë vizituar rrugën Kijevë-Zahaq, që do të nis së shpejti zgjerimi dhe rehabilitimi.
Ministri Abrashi e ka quajtur lajm të mirë shpalljen e procedurave të tenderimit nga BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive (BEI). Ai tha se zgjerimi dhe rehabilitimi i kësaj rruge do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në shumë aspekte, por veçanërisht për bizneset, sepse do t’iu krijojë lehtësira.
“Sot janë shpallur procedurat e tenderimit nga BERZH-i dhe BEI për vazhdimin e zgjerimin Kijevë-Zahaq, dhe shpresojmë që shpejt do të nisin edhe punimet pasi të bëhet përzgjedhja e kompanisë. Falënderoj BERZH-in për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Ministrisë së Infrastrukturës në realizimin e shumë projekteve me rëndësi të madhe për vendin”, tha Abrashi.
Ministri tha se BERZH-i është partner shumë i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.
Ndërsa, Arianit Blakaj, bankier kryesor i BERZH-it në Kosovë, shpjegoi procedurat që do të ndiqen për shpalljen e fituesit, që është tender ndërkombëtar. Ai bëri të ditur se rruga do t’i ketë të gjitha standardet e një rruge model.