Gazetari dhe analisti Berat Buzhala, në një reflektim të tijin, ka folur për dy kandidatë të rinj të LDK-së për deputetë, Shkëmb Manaj dhe Alban Rraci.
Buzhala ka kujtuar një vizitë si gazetar në shtëpinë e avokatit të ndjerë, Shaban Manaj, pas vrasjes së tij misterioze para 24 vitesh.
“E di që pata biseduar me zonjën e Shabanit, por gjithashtu e di që në atë dhomë të vogël ku po zhvillohej intervista, ishte prezent edhe njëri nga fëmijët e tij, që atëherë kishin mbetur pa baba. Mendimi që më ka ndjekur gjithë këto vite ka qenë: ‘Qysh do të rriten këta fëmijë tash?’ Kanë qenë kohë të liga.”, rrëfen Buzhala, transmeton Klina.info.
Berati vlerëson kandidimin e Shkëmbit si një veprim të natyrshëm, duke thënë se ai është një trashëgimtar i denjë i babait të tij. “Baba i tij, kudo që është, është krenar me djalin e vet, që ishte shkëmb i fortë,” shprehet ai.
Nga ana tjetër, ai ndan mendime pozitive edhe për Alban Rracin, i cili vjen nga Klina, një vend i njohur për njerëz të vlerës.
Berati kujton babain e Albanit, Ismetin, për të cilin ka dëgjuar gjithnjë fjalë të mira.
Të dy kandidatët, sipas Buzhalës, janë shembull i fuqisë për të kapërcyer tragjeditë personale dhe për të ndjekur një rrugë të drejtë në politikë.
“Mbështetja ime për këta dy djem që kurrë nuk i kam takuar është pothuajse obligim moral. Kam qejf me i pa deputet, sepse jeta për ta ka qenë mjaft mizore dhe e padrejtë.”, theksoi ai.
Shkëmb Manaj dhe Alban Rraci janë shembulli i një brezi të ri që mund të sjellë një frymë të re në politikën kosovare, përmes punës dhe përkushtimit.