Formati i ri i UEFA-s për Europianin e vitit 2020, është cilësuar si një ‘skandal’, që pa nisur madje, dhe kjo I ka bërë të gjithë me dhimbje koke në zyrat e organizmit më të lartë të futbollit europian.
Për herë të parë, Kampionati Europian do të luhet në 12 qytete të ndryshme pritëse, në 12 shtete, ndërkohë që “Wembley” do të presë fazën gjysmëfinale dhe atë finale.
Shorti për fazën e grupeve do të hidhet më 30 nëntor, ditën e shtunë. Deri më tani biletën e kanë prerë 20 shtete, ndërsa 4 të tjera do të vendosen në muajin mars, ku do të luhen edhe takimet finale nga katër ligat, në kompeticionin paralel Liga e Kombeve.
Gjithsesi, fakti që UEFA I ndalon disa skuadra të mos përballen me njëra-tjetrën, ka bërë që disa prej shteteve të kenë të përcaktuar që tani grupin e tyre. Për shembull, Ukraina dhe Rusia nuk mund të ndeshen dot bashkë, dhe kjo sipas sistemit të UEFA-s, çon direkt Belgjikën që të ketë në grup Rusinë e Danimarkën në grupin B, duke rritur dyshimet.
“Sinqerisht, mendoj se diçka e tillë është skandal I vërtetë” – është shprehur ylli I Belgjikës, Kevin De Brujn në një nga televizionet belge pas fitores ndaj Qipros ditën e djeshme, ku më tej shtoi – “Futbolli nuk është tamam futboll, jo më. Më shumë po bëhet si biznes. Si lojtar duhet të mësohesh me një fakt të tillë, por për mua personalisht mendoj se po e falsifikojnë kompeticionin. Po ia heqin të gjithë kënaqësinë shortit”.
Në të njëjtën linjë, është edhe trajneri I Holandës, Ronald Kuman, kombëtare e cila e ka të sigurt që në grupin C do të presë Ukrainën. “Nuk e kuptoj aspak formatin e ri. I kam kërkuar federatës sime nëse më duhet të shkoj tek hedhja e shortit në 30 nëntor, duke parë se e dimë tashmë me kë mund të luajmë” – u shpreh Kuman për “De Telegraaf”.
Gjithsesi, shorti I UEFA-s pritet të qartësojë më shumë të dhëna, për mënyrën se si do procedohet në fazën finale të kompeticionit, në verën e vitit të ardhshëm.