Parlamenti Evropian (PE) miratoi një ligj, sipas të cilit deri në vitin 2024 do të jetë i detyrueshëm përdorimi i portave të karikimit USB-C në pajisjet elektronike si telefonat e mençur, tabletat dhe kamerat që shiten në shtetet anëtare.
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të PE-së që u mbajt në Strasburg, u diskutua projektligj i cili synon standardizimin e porteve të ndryshme për karikimin e pajisjeve të ndryshme elektronike si USB-C, Micro USB dhe Lightning, si dhe reduktimin e mbetjeve elektronike.
Deputetët në Parlamentin Evropian miratuan një projektligj që do të prezantojë karikimin universal të telefonave të mençur me 602 vota “pro” dhe 13 “kundër”. Sipas ligjit, USB-C do të jetë porti i ri standard i karikimit.
Deri në fund të 2024 të gjithë telefonat e ri të mençur, tabletat, kamerat digjitale, kufjet, konzolat portative të video-lojërave, altoparlantët dhe tastierat do të kenë porte karikimi USB-C.
Kështu, një karikues do të mund të përdoret në pajisje të ndryshme elektronike, domethënë, konsumatorët nuk do të duhet të blejnë kabllo dhe karikues për çdo pajisje të re.
Gjithashtu do të harmonizohen edhe sistemet e karikimit të shpejtë të pajisjeve. Ligji do të shtrihet edhe për kompjuterët laptop në pranverën e vitit 2026. Ky hap synon të reduktojë mbetjet elektronike.
Pasi ligji të miratohet zyrtarisht nga Këshilli Evropian, ai do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.