Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë të gjatë rreth kërkesave dhe pritjeve që ajo ka prej kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuciq.
Sipas komunikatës të lëshuar sot, si Kosova edhe Serbia po rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane.
Kjo pasi, BE ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.
Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.
Në këtë komunikatë, BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik.
“BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, thuhet në komunikatën e BE-së, sipas së cilës, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar.