Bashkimi Evropian është duke e përcjellë për së afërmi rastin e ndalimit të Nezir Mehmetajt nga autoritetet në Serbi. Nga Brukseli bëjnë thirrje për bashkëpunim mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë rikujtojnë parimet e Dialogut Kosovë-Serbi në bazë të të cilave hetimet për veprat e pretenduara duhet të kryhen para Gjykatave në vendin e banimit.
Besnik VELIU
Më 3 janar të këtij viti policia në Serbi ka ndaluar shtetasin kosovar, Nezir Mehmetajn, nga fshati Rudicë e Komunës së Klinës, me pretekstin se ai ndodhet në listën e zezë të autoriteteve atje. Pasi ishte ndaluar fillimisht në paraburgim për 48 orë, për Mehmetajn më pas është vazhduar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Lidhur me këtë kanë reaguar institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit kosovar.
Situatën me interesim të madh janë duke e përcjellë edhe nga Bashkimi Evropian. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.
Stano ka thënë se janë duke ndjekur nga afër rastin.
“Ne jemi duke monitoruar per së afërmi procesin gjyqësor”, ka thënë ai.
Tutje Stano ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovës dhe Serbi duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen.
“Autoritetet gjyqësore në Serbi dhe Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të pretenduara penale”, ka vazhduar tutje Stano.
Siç ka potencuar Stano, në bazë të parimeve të Dialogut për të cilat janë marrë vesh Kosova dhe Serbia, Nezir Mehmetaj, duhet të ndiqet nga gjykatat në Kosovë.
“Në linjë me parimet e Dialogut, ndjekja e rasteve duhet të bëhet apriori përpara gjykatave në vendin e banimit, në Kosovë ose Serbi”, ka përfunduar Stano në një përgjigje të shkruar për Gazetën Express.
Mehmetaj në Serbi kishte shoqëruar nënën e tij e cila do të merrte një shërbim mjekësor në atje. Ai pasi është ndaluar nga policia serbe është dërguar në Kurshumli dhe më pas është përcjellë për në Beograd, ku është duke u mbajtur në paraburgim.
MPJ përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd i ka ofruar ndihmë Nezirajt, ndërkohë familja i ka caktuar edhe një avokat.