Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.“I takon Kosovës që të propozojë si të ecet përpara, me zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kur u pyet se “a duhet të zbatohet Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.Më herët, Stano kishte thënë se Kosova me këto marrëveshje ka marrë obligime me vullnet të mirë dhe duhet t’u përmbahet atyre obligimeve.
“BE-ja dhe shtetet anëtare presin nga palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara. Çështjet e hapura nga marrëveshjet e mëparshme duhet të adresohen paralelisht me negociatat në vazhdim e sipër për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha Stano, teksa iu përgjigj pyetjeve lidhur me atë se a do të bisedojnë palët për krijimin e Asociacioniz gjatë bisedimeve në Bruksel.“Asociacioni është një mjet i krijuar në vitin 2013 për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Si pjesë e negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse është thelbësore që të adresohen në përgjithësi aranzhimet për komunitetin joshumicë. Në vitin 2013, Kosova ka hyrë në Marrëveshje për të themeluar Asociacionin e komunave serbe. Kjo marrëveshje është bërë me vullnet në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është anuluar apo tërhequr asnjëherë. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me shumicën e 2/3 të votave. Duke bërë këtë, Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare për të zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.Zëdhënësi i BE-së, duke shprehur qëndrimin e bllokut evropian, ka shtuar se “i takon Kosovës që të propozojë rrugën tutje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.
Stano ka thënë se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin rregullisht është keqinterpretuar”.“Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni nuk mund të themelohet. Prandaj, presim nga Kosova që të respektojë obligimin që ka marrë përsipër në dialog. Çështja e aranzhimeve për komunitetin joshumicë -Asociacionin duhet të adresohet si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ashtu siç kishin rënë dakord liderët në takimin e tyre të parë në korrik të vitit 2020 dhe ishte konfirmuar në rundin e fundit më 7 shtator”, është shprehur Stano.Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe tash e një muaj është bërë temë e kundërshtimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa Beograd ka insistuar që për këtë temë të diskutohet në dialog dhe ajo të zbatohet sa më shpejtë, pala kosovare ka refuzuar një gjë të tillë. Por, Beogradi ka shprehur mospajtime edhe për propozimet që Asociacioni të themelohet në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje.Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asambleje dhe Këshill.Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton partimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.