Bashkimi Evropian ka mirëpritur njoftimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të hequr në mënyrë të pjesshme tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një komunikate ka thënë se “ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyjave palëve”, thuhet në komunikatë.
Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i kundërt me atë të Shteteve të Bashkuara, pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështetë masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.
Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në vitin 2018 për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. /