Bashkësia Islame e Kosovës, shkaku i situatës me pandeminë COVID-19, ka marrë disa vendime lidhur me festën e Kurban Bajramit.
BIK-u, ka marrë vendim që namazi i sabahut nuk do të falet në xhami në ditën e Kurban Bajramit, falja e namazit të Kurban Bajramit do të bëhet në orën 06:03 min, Xhemati do të prezantojë në xhami 10 minuta para faljes së namazit të Kurban-Bajramit etj.
BIK po ashtu ka njoftuar se për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban-Bajramit.
Njoftimi i plotë:
Me rastin e festës së Kurban-Bajramit e cila do të jetë këtë të premte, më datën 31 korrik 2020, duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mospërshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës; Myftiu Tërnava në bazë të kompetencave të tij, sipas nenit 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, merr këtë:
V E N D I M
1. Nuk do të falet namazi i sabahut në xhami në ditën e Kurban-Bajramit
2. Falja e namazit të Kurban-Bajramit do të bëhet në orën 06:03 min.
3. Xhemati do të prezantojë në xhami 10 minuta para faljes së namazit të Kurban-Bajramit
4. Ligjërata (hutbeja) e Kurban-Bajramit nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta, ndërsa hutbeja e ditës së xhuma nuk duhet të zgjasë më tepër se 5 minuta
5. Personat zyrtarë të BIK-ut dhe xhemati i xhamive t’u përmbahen me përpikëri rekomandimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, për mbrojtje nga përhapja e virusit:
a. Dezinfektimi i duarve
b. Bartja e maskës
c. Mbajtja e distancës fizike (brenda dhe jashtë xhamisë)
d. Kufizimi i numrit të besimtarëve në xhami në 50 persona (ose më pak, varësisht prej hapësirës së xhamisë)
e. Mosshfrytëzimi i tualeteve, abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive
f. Xhemati të marrin sexhade me vete (jo domosdoshmërisht)
g. Të mos prezantojnë në xhami personat e moshave mbi 65-vjeçare dhe ata nën moshat 16-vjeçare, si dhe personat me sëmundje kronike, ata që kanë simptoma të virusit dhe çdokush tjetër që dyshon se mund të infektohet nga prezenca në xhami
h. Mosshtrëngimi i duarve me njëri-tjetrin me rastin e përshëndetjes dhe të urimit të bajramit
i. Moskrijimi i turmave të njerëzve dhe shpërndarja e menjëhershme e xhematit pas hutbes së Bajramit
j. Mosorganizimi i pritjes për nder të festës së bajramit në selinë e BIK – ut, e as në selitë e këshillave lokalë
k. Për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban-Bajramit.