Banorët e disa fshatrave të Klinës prej tre ditësh pa energji elektrike dhe ujë: Apelojnë për zgjidhje urgjente

Banorët e fshatrave Gllarevë, Rigjevë, Zabërgjë, Dresnik, Sferkë në komunën e Klinës po përballen me mungesë të energjisë elektrike prej tri ditësh, në një kohë kur temperaturat e ulëta dhe kushtet e motit të ftohtë kanë vështirësuar ndjeshëm jetesën.

Sipas tyre, përveç mungesës së energjisë, shumë familje kanë mbetur edhe pa ngrohje dhe pa furnizim të qëndrueshëm me ujë. Kjo situatë ka krijuar vështirësi të mëdha, ndërsa banorët apelojnë për reagim të shpejtë nga institucionet përgjegjëse dhe Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Jemi të zhytur në një gjendje të rëndë. Mungesa e rrymës ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme. Jemi pa ngrohje dhe pa ujë, ndërsa nuk kemi asnjë informacion të qartë pse ende nuk ka energji,” thotë një banor i Gllarevës për Klinë Info.

Përkundër ankesave të shumta, deri tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar që të sqarojë arsyet e ndërprerjes së energjisë në këtë zonë, ndërsa banorët presin një zgjidhje të menjëhershme për t’u rikthyer në kushte normale jetese.

Banorët kërkojnë që autoritetet komunale dhe KEDS të marrin masa të menjëhershme për të rivendosur furnizimin me energji dhe të mos lënë asnjë komunitet në mëshirën e acarit.