Ballkani do të luajë sot (e enjte) në udhëtim te Sivasspori në kuadër të ndeshjes së tretë të grupeve në Ligën e Konferencës.
Kampioni i Kosovës ka udhëtuar drejt Turqisë ku do të ndeshet me Sivassporin në ndeshjen që pritet të zhvillohet në stadiumin “Yeni 4 Eylül” me fillim nga ora 18:45.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka treguar lojëra të mira në dy takimet e para të grupit, por pa arritur fitoren.
Në ndeshjen e parë në shtëpi ndaj CFR Cluj pranuan gol në minutat shtesë, ndërsa në takimin e dytë në udhëtim te Slavia Praga humben 3-2 përkundër epërsisë në dy raste.
Ky takim pritet të jetë i vështirë, por portokall e zinjtë janë gati për të bërë befasinë dhe të rikthehen në shtëpi me rezultat pozitiv.
Ballkani për këtë takim do të ketë dy mungesa, Astrit Thaqi i suspenduar dhe Rustem Hoxha i lënduar tash e një kohë të gjatë.