Ballkani arriti ta sigurojë matematikisht titullin e kampionit të Kosovës në futboll tri xhiro pa përfunduar sezoni.
Ky ishte titulli i parë në histori për suharekasit, të cilët edhe do të garojnë për herë të parë në garat evropiane.
Ballkani i udhëhequr nga Ilir Daja do të garojë në kualifikimet për garën më prestigjioze evropiane, Champions League.
Për herë të parë këtë sezon, kampioni i Kosovës nuk do të luajë në raundin preliminar, por do të shkojë direkt në rrethin e parë kualifikues.
Ballkani do ta mësojë kundërshtarin e tij më 14 qershor, kur do të tërhiqet shorti për rrethin e parë kualifikues.
Kurse, ndeshjet e para do të zhvillohen më 5 dhe 6 korrik, kurse ato të kthimit një javë më vonë, më 12 dhe 13 korrik, raporton expres.
Ndërkohë, kujtojmë se Drita, Gjilani dhe Llapi do të garojnë në kualifikimet për Conference League.