Skuadra e Ballkanit do të luaj në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës ndeshjen kundër Ludogoretsit, në kuadër të rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Po ashtu, ndeshjen e parë kundër FC Europa, Dukagjini do ta luajë në këtë stadium, në kuadër të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Kështu, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës të premten, pasi ka marrë vendimin pozitiv nga UEFA që ndeshjet të luhen në stadiumin e kryeqytetit.
Ballkani të martën luan kundër Ludogoretsit, ndërsa Dukagjini dy ditë më vonë përballet me ekipin nga Gjibraltari. “Pas këtyre dy ndeshjeve, eksperti i UEFA-së së bashku me ekipin e mirëmbajtjes së stadiumit do të punojnë për t’u rikuperuar edhe mëtutje fusha, e cila ka pësuar dëmtime kohët e fundit. FFK fton klubet që të përkujdesen maksimalisht në ruajtjen e fushës dhe kësisoj stërvitjet zyrtare t’i zhvillojnë në ndonjë stadium tjetër ose në Kampin Nacional në Hajvali, në mënyrë që fusha të mos dëmtohet më shumë”, ka shkruar FFK-ja në njoftim.
“Duke pasur parasysh se në këtë periudhë është e pamundur të intervenohet në ndërrimin e barit dhe as në zëvendësimin e tij, dhe meqenëse në këtë stadium do të zhvillohen edhe ndeshjet zyrtare të Kombëtares A, Kombëtares U21 dhe të Kombëtares së vajzave, është e nevojshme që fusha të jetë sa më pak e ngarkuar në gjendjen aktuale”.