Bajqinovci viziton bizneset prodhuese në Podujevë:Shembuj frymëzues të cilësisë dhe inovacionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka vizituar sot dy kompani të rëndësishme prodhuese në Podujevë: fabrikën e tjegullave Eurobllok dhe fabrikën për prodhimin e dritareve Beselica.

Gjatë vizitës, Bajqinovci shprehu vlerësimin për punën dhe përkushtimin e treguar nga këto biznese vendore, veçanërisht për suksesin e arritur nga familja Beselica.

“Ishte mbresëlënëse të shihja përkushtimin dhe punën e palodhshme të familjes Beselica, e cila me profesionalizëm dhe vizion ka ndërtuar një histori suksesi në sektorin e prodhimit,” u shpreh ai, transmeton Klina.info.

Deputeti theksoi rëndësinë e këtyre kompanive jo vetëm për krijimin e vendeve të punës, por edhe për rolin e tyre në forcimin e ekonomisë së Kosovës përmes cilësisë dhe inovacionit.

“Jam krenar që kemi biznese të tilla në Kosovë, që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e vendit tonë,” shtoi Bajqinovci, duke theksuar mbështetjen e tij për sektorin privat dhe iniciativat që fuqizojnë prodhimin vendas.

Vizita e deputetit Bajqinovci është pjesë e angazhimit për të inkurajuar dhe promovuar zhvillimin e mëtejshëm të industrive prodhuese vendore.