Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), sot ka asgjësuar 39 krerë lopë në një fermë në fshatin Gustar të komunës së Istogut. Sipas AVUK- ut asgjësimi i tyre është bërë pasi që lopët kishin rezultuar pozitiv me sëmundjen e Brucelozës.
Zëdhënësi i AVUK-ut Lamir Thaçi ka thënë për “Indeksonline” se pas kryerjes se analizave laboratorike të cilat kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e Brucelozës, AVUK ka bërë asgjësimin e tyre si masë parandaluese për pengimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.
“Sot me datë 06.10.2023, në fshati Gusar Istog janë duke u asgjësuar 39 krerë gjedhe. Të cilat pas kryerjes se analizave laboratorike kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e Brucelozës. Duke u bazuar në aktet ligjore me qellim të pengimit të përhapjes e sëmundjeve infektive Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si masë parandaluese kryen asgjësimin. Të gjitha kafshët janë të një ferme dhe asgjësimi është duke u kryer po në fshatin Gusar nën mbikëqyrjen e inspektorëve Veterinarisë të AUV-së Zyra regjionale Pejë”, ka thënë Thaçi.
AUV sipas tij gjatë gjithë viti kryen hulumtime diagnostike, merren mostra për testime dhe në secilin rast kur ato rezultojnë pozitiv në ndonjërën nga sëmundjet infektive, menjëherë ndërmerren veprimet ekzekutive për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
“Masat tjera janë dezinfektimi i fermës dhe mbikëqyrja e afateve kohore për ripopullim. AUV mbulon shpenzimet e asgjësimit, bën dezinfektimin e fermës. Kompenson fermerët për kafshët e asgjësuara. E gjithë kjo bëhet me qellim të ruajtjes se shëndetit të përgjithshëm veterinar dhe atij human”, ka thënë Thaçi./Indeksonline/