Avokati i njohur kosovar: Albin Kurti mund të kandidojë për zgjedhje

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Koci ka treguar arsyen se pse Kurti mund të kandidojë.

“Vepra penale është kryer në vitin 2015, kur në fuqi ka qenë Kodi Penal Nr. 04/L – 082, i cili në nenin 100 paragrafi 2, parasheh se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore”, thuhet në njërën ndër sqarimet e tij në Facebook.

“Kodi i ri Penal, Nr. 06/L-074, ka pësuar ndryshim. Në nenin 93 paragrafi 2, tani parashihet se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, apo vërejtja gjyqësore. Dënimi me kusht me Kodin e ri, ka pasojë juridike, për dallim prej Kodit paraprak”.

“Sidoqoftë, dispozitat ligjore lexohen dhe interpretohen në mënyrë sistematike. Në nenin 3 të Kodit të ri Penal (i njëjti nen është edhe në Kodin paraprak), parashihet se: ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (neni 3 par 1) ose, në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm (neni 3 par 2).

“Vepra penale është kryer në vitin 2015. Prandaj, zbatohet ligji më i favorshëm – Kodi Penal, Nr. 04/L – 082, i cili thotë se pasojat juridike NUK parashihen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht”, bën të ditur tutje Koci.