Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se nesër do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin e vdekjes në rrethana të dyshimtas në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.
Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku sipas Gashit ka neglizhencë nga prokuroria sa i përket hetimeve për zbardhjen e rastit.
Avokati Gashi rikujtoi se ekspertiza shtesë e të njëjtit Institut Zviceran e Muajit Prill 2022, përveç se konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 konstatoi se provat që janë dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në këtë Institut kanë qenë krejtësisht të dëmtuara-manipuluara dhe përgjithësisht të papërdorshme.
“Prokurori zgjodhi rrugën e Heshtjes dhe për këtë arsye Prindërit e Astrit Deharit kanë kërkuar përjashtimin e Prokurorit Afrim Shefkiu nga Hetimi i Vrasjes së djalit të tyre Astrit Dehari”, ka shkruar Gashi.
Postimi i plotë:
Neglizhenca po na vret!
Nesër bëhen 5 vite 9 muaj e 7 ditë nga vrasja e Aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.
Ekspertiza e Institutit Zviceran të mjekësisë ligjore e vitit 2019 e vërteton Vrasjen duke konstatuar se me mënyrë shkencore është eliminuar edhe teoria e vetëvrasjes dhe u vërtetua prania e ADN-së të personave të 3te…
Ekspertiza shtese e të njëjtit Institut Zviceran e Muajit Prill 2022, përveç se konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 konstatoi se provat që janë dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në këtë Institut kanë qenë krejtësisht të dëmtuara-manipuluara dhe përgjithësisht të papërdorshme.
Prokuroria në vend që të fillojë hetimet penale kundër atyre që manipuluan provat zgjodhi një rrugë tjetër të manipulimit të opinionit publik duke e publikuar konstatime të ekspertizës shtesë, njëherë me vetëm dy pika të konkluzionit të ekspertizës shtese dhe pas reagimit të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu si për inat 3 ditë më vonë publikuan ekspertizën me të gjitha gjetjet prapë me qellim të manipulimit të opinionit.
Prokurorit të rastit z.Afrim Shefkiu me shkrim që 4 muaj i kërkuam që të inicojë hetim penal dhe të identifikojë se kush i manipuloi provat e dërguara në Zvicër, Prokurori nuk përgjigjet fare. Prokurorit të Rastit i janë bërë dhjetëra kërkesa në të cilat ai nuk është përgjigjur asnjëherë dhe njëra prej tyre është që të kerkojë sqarime nga ekspertet e mjekësisë ligjore në Prishtinë lidhur me plagët e shkaktuara tek Astrit Dehari në ballë e që janë në forma sferike-rrumbullakëta dhe që kanë largësi e diametër të njëjtë dhe sipas te gjitha rrethanave janë shkaktuar me goditje me boks të hekurit.
Prokurori zgjodhi rrugën e Heshtjes dhe për këtë arsye Prindërit e Astrit Deharit kanë kërkuar përjashtimin e Prokurorit Afrim Shefkiu nga Hetimi i Vrasjes së djalit të tyre Astrit Dehari.
Për te gjitha këto NESER ne ora 12:00 do të mbajmë Konferenc për media në zyrën time në Prishtinë!
Lokacioni: Rr.Rexhep Luci 1/1, kati i pare mbi Kino Abc.