Avion gjigant A380, një “monstër” i vërtetë i qiejve, ka kryer së fundmi fluturimin e parë, duke përdorur si karburant vaj gatimi.
Avioni realizoi më 25 mars një fluturim testues që zgjati tre orë, që nisi nga aeroporti “Blagnac” në Toulouse, ku ndodhet edhe selia e kompanisë franceze. Lënda djegëse e përdorur quhet zyrtarisht karburant aviacioni i qëndrueshëm (SAF), dhe përbëhet kryesisht nga vaj gatimi i përdorur dhe yndyra mbeturinash, që i japin energji motorit Rolls-Royce Trent 900 të avionit.
Ndërsa më 29 mars, Airbus realizoi një fluturim të dytë me po të njëjtin lloj karburanti, duke fluturuar nga Toulouse në Nice. Karburanti u sigurua nga kompania “TotalEnergies”.
Airbus ka testuar edhe herë të tjera përdorimin e këtij karburanti në modele të tjera, në mars dhe në tetor 2021. Kompania shpreson që deri në fund të kësaj dekade ta certifikojë këtë karburant dhe ta përdorë për të gjitha fluturimet komerciale.
Sipas rregulloreve në fuqi, Airbus mund të përdorë karburant të përbërë vetëm 50% vaj gatimi dhe pjesa tjetër me karburant tradicional, me bazë vajguri.