Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka tërhequr nga tregu qumështin “Perfetto” 2.8% me origjinë nga Maqedonia e Veriut për shkak të mosplotësimit të kritereve të konsumit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se është larguar nga tregu qumështi ‘’ Perfetto’’ 2.8% qe ka datë skadence 20.08.2023.
Produkti me origjinë nga Maqedonia e Veriut sipas AUV-it nuk i plotëson kriteret për konsum
Sasia e gjetur në treg sipas tyre është asgjësuar menjëherë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes trupave inspektuese veterinare ka gjetur se: produkti qumësht i brendit “Perfetto’’ 2.8% me origjinë nga Maqedonia Veriore i distribuuar në tregun e Kosovës nga Atlantik Group qe mban datë skadence 20.08.2023, nuk i plotëson kriteret ligjore për konsum. Pas hapjes së disa mostrave është vërejtur se qumështi ka ndryshuar vetitë organoleptike, ka koaguluar shihen dromcat ( ka filluar prishja). Sasi e gjetur në disa markete është asgjesuar menjëherë. Në anën tjetër është urdhëruar distributori të bëj tërheqjen e produktit nga të gjitha pikat shitëse, në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
AUV ka kërkuar nga qytetarët hasin në këtë produkt të lajmërojnë dhe nëse i kanë blerë t’i kthejnë në pikat shitëse.
Ata kanë bërë të ditur se produktet qumësht të brendit “Perfetto’’ 2.8% të datave tjera të skadimit nuk janë të dyshimta.