Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes Inspektoratit Veterinar sot ka organizuar një aksion kontrolli në të gjitha mishtoret e qytetit të Pejës për të kontrolluar shitjen e mishit dhe nënprodukteve të mishit në aspektin e plotësimit të kritereve ligjore për tregtim të sigurt të kësaj kategorie të produkteve.
Për këtë aksion, zëdhënësi i AUV Lamir Thaqi ka konfirmuar për KosovaPress se nga inspektimet e ushtruar në 17 mishtore, ka rezultuar me largim nga shitja- konfiskim të një sasie prej rreth 300 kg mish dhe nënprodukte mishi që nuk i plotësonin kriteret ligjore për tregtim.
“Disa nga mishtoret është gjetur mish i pa vulosur që nënkupton se nuk është therur kafsha në thertore të licencuar. Në disa raste janë hasur duke u shitur nënprodukte mishi të trajtuara termikisht suxhuk mish i terur në subjekte të cilat nuk janë të licencuara për përpunim”, tha Thaqi.
Sasitë e gjetura nëpër mishtore pa dokumentacion, sipas tij janë ndaluar për qarkullim nga inspektoret, të njëjtat do të asgjësohen në ditët në vijim në prezencë të inspektorit kompetent. Aksione të tilla AUV ka ndërmarrë ditë më parë në Prizren dhe Ferizaj./