Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovski në lidhje me të dënuarit për rastin e Kumanovës dhe ekstradimin e tyre në Kosovë, u shpreh se të dënuarit duhet ta vuajnë dënimin në Maqedoninë e Veriut.
“Unë mendoj se duhet të respektohet vendimi i gjykatave të Maqedonisë dhe se të dënuarit duhet ta mbajnë dënimin në burgun e shtetit tonë, aty ky është kryer vepra penale”, u shpreh Petrovska.
Ajo shtoi se nëse ka dyshime për kushtet ose rrethanat e vuajtjes së dënimit atëherë duhet të punohet nga secili nga ne për t’i tejkaluar këto sfida.
Ditë më herët, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, u shpreh se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për transferimin e Grupit të Kumanovës.
Një shkëmbim zjarri i cili shpërtheu gjatë një bastisjeje të policisë maqedonase në mes të forcave speciale të policisë së Maqedonisë dhe një grupi të armatosur, ka ndodhur më 9 Maj 2015 në qytetin verior të Maqedonisë së Veriut në Kumanovë. Gjatë të shtënave, 8 policë maqedonas dhe 10 ish-anëtarë të grupit të armatosur së u vranë, ndërsa 37 oficerë u plagosën. Të shtënat përfunduan më 10 Maj 2015 në një operacion nga policia maqedonase dhe forcave të armatosura, ku 28 burra shqiptarë janë arrestuar dhe akuzuar për “terrorizëm”, akuzat janë bërë nga ana e autoriteteve maqedonase. Asaj dite e sot, të dënuarit qëndrojnë në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në kushte jo të mira, ndoshta edhe ç’njerzore për vuajte të dënimit.