Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në një familje në fshatin Sferkë të Klinës, ku burri po dyshohet se ka mbajtur me dhunë në shtëpi ish-bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre. Viktima, shtetase e Austrisë është divorcuar nga i dyshuari, por nuk po mund të kthehet në shtetin e saj. Sinjali ka mësuar detaje për intervenimin e Policisë së Kosovës në këtë rast dhe veprimet që janë marrë deri më tash.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se çifti është shkurorëzuar në Austri, me ç’rast është vendosur që fëmijët t’i marrë në përkujdesje nëna e tyre. Ndonëse fëmijët janë me nënën, ata janë mbajtur të mbyllur me dhunë për disa ditë nga babai/burri, i cili s’po e lejon gruan të kthehet në shtetin austriak.
Përballë kësaj situate aq të frikshme, Sinjali mëson se shtetasja e Austrisë është detyruar që të kërkojë ndihmë përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.
Denoncimi i rastit dhe intervenimi i Policisë rezultoi me arrestimin e burrit të dyshuar, i cili është kapur në orët e mbrëmjes dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Në anën tjetër, gruaja ka dëshmuar për rastin dhe atë se çfarë ka ndodhur ën shtëpinë e ish-bashkëshortit në fshatin Sferkë dhe më pas bashkë me fëmijët janë dërguar në strehimoren në Pejë, derisa të merret një vendim që të dërgohet në Austri.
Ndërkohë ndaj të dyshuarit, pasi kanë përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orë I për veprën penale “Dhunë në familje”.