Yllka Derri, 15-vjeçare po vazhdon të jetë e zhdukur tash e gjashtë muaj. Ajo ishte nisur për në shkollë, por ku ka përfunduar nuk po e di askush. Familjarët kanë treguar gjatë ditës së djeshme për Gazetën Sinjali se Blerim Radosta kishte telefonuar familjen e vajzës dhe u kishte thënë se Yllka është me djalin e tij, B.R 17-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
Nëna e Yllkës, Teuta Derri, ka thënë se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia më 14 qershor. Ajo thotë se që nga ajo ditë vajza kishte pasur vetëm një kontakt me familjen.
Gazeta Sinjali ka siguruar mesazhin që vajza i kishte dërguar babait të saj.
“Hasan thuaj babait le të më thirr se unë kam mu nis dhe ku me ditë kur mundem me fol. Thuaj babit le të më thërret se Besarti është jashtë dhe e kam marr telefonin tinëz tina, se nëse vjen ai nuk më len me fol”, thuhet në audio incizimin e siguruar nga Gazeta Sinjali.
Nëna e Yllkës, Teuta Derri, ka treguar për Gazetën Sinjali, se vajza e saj dy ditë pasi ishte raportuar e zhdukur, ata kishte kaluar kufirin, duke u futur në Malin e Zi. Pretendimet e saj janë se e gjithë familja Radosta kishte kaluar kufirin për në Malin e Zi.
Ajo thotë se Blerimi me bashkëshorten, dy vajzat si dhe me djalin e tij B.R, 17-vjeçar kanë shkuar në Malin e Zi. Dyshimet e saj janë se edhe Yllka së bashku me familjen Radosta kishin udhëtuar në Malin e Zi.