Që nga 1 maji, Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur bllokimin e llogarive të bizneseve të cilat nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore. Në një përgjigje nga ATK-ja, bëhet e ditur se nga 1 e deri më 5 maj ka bllokuar mbi 1200 llogari.
“Deri më datën 05.05.2021, numri i llogarive të bllokuara është mbi 1200. ATK-ja nga data 01.05.2021 vazhdon me procedurat e bllokimit të llogarive ndaj të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë borxhe tatimore. Te bllokimi i llogarive nuk ka kufizime shuma e borxhit, por prioritetet përcaktohen në trajtimin e borxheve të mëdha”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Në janar të këtij viti, me vendim të Qeverisë, bllokimi i llogarive ishte shtyrë deri më 30 prill si masë lehtësuese për tatimpaguesit, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
Gjatë kësaj kohe bizneseve u është dhënë mundësi që të lidhin marrëveshje me ATK-në për pagimin e borxheve me këste.
“Në periudhën janar-prill 2021, janë lidhur 799 marrëveshje me borxh total në vlerë 30,093,862.48€ dhe pagesë paradhënieje për marrëveshje në vlerë 5,969,143.10€. Totalin e borxheve e përbëjnë në pjesën më të madhe borxhet mbi 3000.00€, përkatësisht 82% të borxhit total e përbëjnë 7030 tatimpagues”, thuhet tutje në përgjigjen e ATK-së.
Për bizneset që nuk shlyejnë borxhet në ATK-së, përveç bllokimit të llogarisë, masat mund të shkojnë deri në konfiskim pasurisë, shitje të pasurisë së konfiskuar, deri te ngritja e padive penale në fushën e tatimeve.