ATDHETARIT TË SHQUAR, ISMET GUNCATI- AMERIKA

Të dielën, me nderime i është dhënë lamtumira e fundit, Ismet Guncati, atdhetarit të devotshëm të çështjes kombëtare.

Kështu, poeti dhe kompozitori i mirënjohur shqiptar, Agim Doçi, e bëri hapjen e koncertit madhështor me artistët mbarëkombëtar që u mbajt në Tiranë në vitin 1998 dhe diasporë, në përkrahje të luftës çlirimtare të UÇK-së, organizuar dhe financuar nga atdhetari i çështjes kombëtare, Ismet Guncati, që kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ndërroi jetë natën e 5 janarit.

Organizatori i kësaj ngjarje të bujshme të kohës, kur Kosova po digjej nga flakët e luftës, Ismet Guncati, ndjehej atëbotë shumë krenar që me koncertin “ Ti Kosovë, djep lirie” që u shfaq në Shqipëri e diasporë, bënte thirrje në përkrahje të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Të dielën, këtij atdhetari të shquar, i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e vendlindjes së tij, në fshatin Kijevë të Malishevës.

Imami dhe aktivisti i shquar për pajtimin e gjaqeve, Xhevat Kryeziu, tha se sot po ndahemi nga një personalitet i shquar i çështjes kombëtare, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për realizimin e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës pa u ndalur për asnjë moment, duke takuar edhe politikanë të shquar amerikanë të cilët mbështetën popullin tonë. Ndërkaq, një fjalim rasti e ka mbajtur edhe, Zeqir Morina, në emër të banorëve të fshatit Kijevë dhe veteranëve të UÇK-së, i cili tha se ndarja nga Ismet Guncati, është moment i rëndë por edhe i krenarisë, sepse i ndjeri një jetë të tërë ia kushtoi çështjes sonë kombëtare. Pas përfundimit të luftës nga agresioni serb, Ismet Guncati u kthye me familje nga Amerika në qytetin e Prizrenit dhe jetoi deri në ditët e fundit të jetës së tij, duke u ndarë nga ajo në moshën 62 vjeçare.