Shkruan,Prof. dr. Nusret Pllana
(Shqiptarëve që nuk u ngopën me mallra të Serbisë)
Javë më parë shkoi viti 2022. Në këtë vit 370 milion euro i janë dërguar Serbisë nga Kosova. Qeveritë që vijnë e shkojnë në Kosovë, nuk janë aty që të tallen me njëra-tjetrën, se kush ka punuar më shumë me Serbinë, por që ta qeverisin sa më mirë Kosovën. Partitë politike në Kosovë, kur bëjnë gara për ta marrë pushtetin, punën kryesore e kanë që të punojnë mirë për Kosovën, e jo të akuzojnë njëra-tjetrën kush i ka dhënë Serbisë më shumë para. Ato para janë të Kosovës, nga kudo që vijnë, nga mërgata jonë, apo nga djersa e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë dhe t’i harxhojnë atje ku ju thotë mendja dhe atje ku kanë më shumë përfitime. Por, jo duke blerë me çdo kusht mallra të Serbisë, qoftë edhe kur janë më lirë, qoftë edhe pa e ditur mirë kualitetin e tyre, qoftë edhe kur janë me afat të kaluar përdorimi. Vetëm ata që i ka lënë kujtesa historike, mund të mos e dijnë për gjenocidin më shumë se njëqindvjeçar që ka bërë Serbia mbi shqiptarët. Më 1878 deri më 1881 me gjenocid kryhet spastrimi etnik i shqiptarëve nga Kazaja e Nishit dhe e Topanicës. Çka ka mbetur sot nga ato toka, nga ata njerëz, ku janë dhe ku kanë mbetur? Ata pak që kanë shpëtuar nga vdekja, janë diku nëpër botë, në Turqi, në SHBA, në Evropë, por pjesa më e madhe e tyre nuk flasin shqip, nuk dijnë shqip, as nuk kujtohen se çka ka ndodhur me ta. Cili popull e harron kaq shpejt e kaq lehtë gjenocidin që bëri Serbia fashiste, bashkë edhe me disa qendra të Evropës së kohës, kur pjesët më pjellore të tokave shqiptare i jepen Serbisë. A e kujtojnë shqiptarët se çka ka ndodhur me Tivarin, me Çamërinë, me Ulqinin e me viset e tjera të atyre tokave shqiptare. Duhej edhe flota e luftanijeve të Evropës që ato qytete shqiptare t’i dorëzoheshin Malit të Zi, Greqisë e Serbisë. Nëse keni harruar të lexoni shqip, atëherë lexojeni Dimitrije Tucoviqin, një ushtar serb i Luftës ballkanike, që flet për gjenocidin serb në Kosovë dhe në Lumë, që sot është pjesë e Shqipërisë londineze. Sepse e tillë është kjo Shqipëri, atdheu ynë, londineze, ngase e ka copëtuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Nëse keni harruar çka u kanë thënë gjyshërit dhe baballarët për Luftën e Shaban Polluzhës, pyetni secilin historian tonë(me ndonjë përjashtim të vogël), nëse njëherë nuk ka shkruar se ajo ishte luftë terroriste, siç e kishte cilësuar politika e Beogradit, kurse pas viteve nëntëdhjetë doli se ishte luftë çlirimtare, luftë për ekzistencë.
Nëse të gjitha këto i keni harruar, si është e mundur të keni harruar Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila së bashku me NATON, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, e ka çliruar këtë pjesë të atdheut tonë?! E ka çliruar dhe qe më shumë se dy dekada jemi vend i lirë, që nga viti 2008 jemi shtet i pavarur.
Pra, nëse nuk e keni harruar këtë luftë, doemos i vizitoni Varret e Dëshmorëve të Kombit, se vetëm aty ende ka mbetur Flamuri Kombëtar, me të cilin ka dhënë jetën secili luftëtarë i lirisë sonë. Nëse të gjitha këto mund t’i keni harruar, ju shqiptarë të dashur, e ju qeveritarë të nderuar, si është e mundur t’i keni harruar 1432 fëmijë të vrarë, nga barku i nënës e deri në moshën 17 vjeçare. Ku ka gjenocid më të madh se kjo gjëmë me përmasë kombëtare, janë 1432 fëmijë që sot nuk e gëzojnë lirinë e Kosovës, kurse shqiptarët blejnë mallra të Serbisë pa ju dridhur syri nga turpi i historisë. Në anën tjetër, qeveritarët tanë luajnë politikash duke akuzuar njëri-tjetrin, sa për tradhti kombëtare, sa për hajni, sa për prostitucion, sa për shitje të interesave kombëtare, duke e fajsuar her Serbinë, her Evropën, e ndonjëherë tjetër edhe Amerikën. Kurse Institucionet tona shkencore, Akademia jonë e shkencave, jo vetëm nuk kanë kohë të merren me ndonjë proces historik që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ata siç ishin dje kundër kësaj lufte, edhe pas luftës, janë kundër atyre që kanë sjellë lirinë. Atyre, pra shumicës së dijetarëve tanë, shumicës së Institucioneve tona shkencore, Akademisë sonë, jo vetëm nuk u bën goja punë ta thonë një fjalë të mirë për luftën që solli lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë, por akuzojnë këtë luftë e këta çlirimtarë edhe më keq se Serbia.
Në një pjesë të shtypit tonë, në një pjesë të botimeve tona, edhe të Akademisë së Kosovës, ajo që është shkruar dhe shkruhet edhe sot, kundër luftëtarëve të lirisë dhe kundër luftës çlirimtare, edhe shtypin e Beogradit e lë pa tekst!!
Kurse statistikat thonë se 370 milion i janë dërguar Serbisë. Por, kjo nuk është me rëndësi, sepse në vitet e tjera paskan dhënë edhe më shumë, herë 600 milion euro, herë 800 milion, andaj jemi shumë të kënaqur që kësaj radhe, Serbisë i janë dhënë vetëm 370 milion euro. Thuhet kështu, edhe kur në kopshtin e fëmijëve që mban emrin ‘‘Nëna Zahide’’, pra emrin e nënës së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, fëmijëve të kopshtit u jepen dhurata nga firmat e Serbisë. Thuhet kështu, edhe për faktin se qeveritë tona, pa marrë parasysh cilës parti i takojnë, nuk janë të zonjat ta qeverisin edhe këtë pjesë të jetës së shqiptarëve, se ndoshta e bëjnë në emër të mos cenimit të të Drejtave të Njeriut, andaj fusin në Kosovë kudo mallra të Serbisë, edhe në kopshtet e fëmijëve. Mallrat kancerogjene të Serbisë nuk vijnë në Kosovë dhe në Shqipëri, vetëm kur bllokohen rrugët nga ata që i mban Beogradi, jo vetëm me paga të majme, por edhe me çdo gjë tjetër, edhe duke ju ndërtuar komplekse banimi e objekte kulture, universitete dhe shkolla të mesme, lapidar të heronjve kishtarë e kriminelë serbë në mes të Kosovës.
Kështu që pasi e ndajnë përgjysmë Mitrovicën, askush qe sa vjet nuk i zë në gojë ata 11 mijë shqiptarë që janë përzënë nga shtëpitë e tyre, pak vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rrugët mund të bllokohen, por qarkullimi i mallrave serbe, kryesisht nga tregtarët shqiptarë, nuk bllokohet kurrë. Nuk bllokohet, as kur vritet shqiptari, Artan Zymberi, ngase paska pasur në trup dy tatu, Skënderbeun dhe Adem Jasharin. Mallrat serbe, nuk bllokohen të hyjnë në Kosovë, edhe nga të shumtët tugjarë shqiptarë të frymës projugosllave e proserbe, dhe askush nuk ka kohë të reagojë, as nga Presidenca, as nga Qeveria, as nga ministri të ndryshme, por as nga ndonjë institucion yni shkencor, si Akademia jonë, fjala vjen, sepse ata nuk i shohin as kolonat e shqiptarëve duke pritur me orë të tëra në kufirin që na ndanë me Serbinë, sepse ata nuk i shohin as reagimet e organeve të pushtetit tonë, as të ndërkombëtarëve, qoftë edhe kur ndonjë shqiptar në vetëmbrojtje për të mos e ndotur uniformën e ushtarit të Ushtrisë së Kosovës, shkrep në ajër dy-tre plumba. Atëherë bëhet hataja, reagojnë aq ashpër, pa zgjedhur as fjalorin, dhe duke u përzierë në punët e organeve të drejtësisë, kurse bashkë me ta, reagojnë të gjitha institucionet e Evropës si dhe ambasadorë të disa vendeve.
Prandaj, del sheshit se asnjë institucion yni, as qeveritar, as shkencor nuk ka kohë të merret me praninë milionëshe të mallrave serbe në Kosovë, e në anën tjetër, e kemi plotë gojën liri, demokraci, drejtësi. Për turp të zotit, se sa duket, mjafton që janë në pushtet dhe mjafton që mund ta shajnë njëri-tjetrin deri në cilësimin tradhtar i kombit.
Në fund, asgjë më mirë nuk i shkon gjendjes sonë, se sa mençuria e një plaku në një fshat të Kosovës. Nipin e tij të vogël që ruante bagëtinë, e kishte rrahur një burrë i moshuar, se ai kishte bërë sherr. Kur vjen në mbrëmje në shtëpi, nipi i tregon gjyshit, se babanë nuk e kishte, ia kishin mbytur në Aksionin e armëve në vitin 1955. Gjyshi i thotë nipit, dil në sheshin e fshatit mos po shoshësh dikë të vdekur. Nipi, që e kishte parë babanë e tij të shtrirë si kufomë, mendonte se i vdekuri duhej të ishte i shtrirë. Del, por nuk e sheh askënd të shtrirë. Kthehet dhe i thotë gjyshit se nuk ishte askush i vdekur. Mendova mos ka vdekur kush nga turpi, nipi im, i thotë gjyshi. Do të thotë, as tashti, askush nuk vdes nga turpi.
Po të ngjallej për një moment gjeniu i letrave shqipe, i Madhi Faik Konica, sërish zemërplasur do të thoshte: “ Ruaje Zot Shqipërinë prej shqiptarëve”!
Prishtinë, janar, 2023