Me shërbime të mjekësisë primare është i mbuluar mirë pothuajse i tërë territori i Komunës së Pejës, përveç zonës së Rugovës, e cila ende nuk ka mjekë, madje as lëvizës në asnjërin prej 14 fshatrave të saj.
Për funksionalizimin e një ambulancë të përhershme apo së paku daljen e ekipeve mobile mjekësore, kërkesat e rugovasve ishin të vazhdueshme, duke pasur parasysh edhe rritjen ndërkohë të numrit të banorëve dhe turistëve ditorë me hapjen e bizneseve të shumta hoteliere, transmeton Njëshi.
“Në Rugovë ka mungesë të një qendre të mjekësisë familjare. Është e nevojshme shumë duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe turistëve. Kërkesa jonë ka qenë e vazhdueshme qoftë në komunë qoftë në ministri. E shohim si të nevojshme ditë për ditë qoftë edhe ditëve të tjera në vazhdim, qoftë në stinë të dimrit, qoftë në stinën e verës”, ka deklaruar. Flamur Rexhbogaj, kryetar i bashkësisë lokale “Rugova II”.
Para luftës, Rugova kishte një ambulancë në Kuqishtë, së cilës tashmë i janë zhdukur themelet. Tjetra ishte në Drelaj, e cila për herë të fundit ofroi shërbime para shtatë vjetësh nga një ekipi mobil. Kurse ambulanca në Haxhaj, e rindërtuar menjëherë pasluftës, është shkatërruar pa punuar fare.
Në komunë kanë treguar se arsyeja e mosfunksionalizimit të ndonjërës prej ambulancave ishte numri i pamjaftueshëm i pacientëve. Për sivjet, siç tregon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ishte planifikuar që njëra ambulancë të funksionalizohet në orar të përhershëm, por për shkak të pandemisë, sipas tij, vështirë që sivjet mund të realizohet.
“Në fshatin Haxhaj përballë shkollës objekti ekziston, në gjendje jo të mirë fizike, por kemi pas planifikuar që gjatë vitit ti bëjmë disa rinovime dhe të provojmë ta rifunksionalizojmë për vetë faktin së ky objekt ndodhet në pikë strategjike ku nga ai vend mund të ndërhyhet edhe në fshatrat tjera të Rugovës”, ka thënë Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë.
Përveç këtyre dy objekteve, në disa fshatra të Rugovës eksitojnë edhe disa objekte shkollore dhe objekte tjera komunale, e të cilat komuna ka planifikuar që t’i jep me koncesion, pasi ato nuk janë duke u shfrytëzuar me vite të tëra nga institucionet komunale.
“Në bazë të një analize që e kemi bërë si komunë, për këtë vit e kemi pasur planifikimin që të zhvillojmë procedura të ankandit publik, që ato t’i japim në shfrytëzim qytetarëve për t’i shndërruar ato në bujtina ose për biznese të tjera”, është shprehur Fatmir Asllani, nënkryetar i Komunës së Pejës.
Ankandi publik nuk është mbajtur deri tash për shkak të pandemisë së koronavirusit, kurse në listën e këtyre objekteve, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, nuk gjendet objekti i ambulancës në Haxhaj, që sipas tij, tregon qëllimin e komunës që ai të rinovohet dhe funksionalizohet për shërbimet mjekësore.