Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e parë të vitit 2022, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.
Në një njoftim për media thuhet se BPV-ja në tremujorin e parë 2022 shënoi rritje reale 4.87%, krahasuar me tremujorin e njëjtë 2021.
Aktivitetet ekonomike që shënuan rritje janë: tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (8.64%); aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (2.13%).
Pasojnë artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbimet e tjera (1.84%), industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, dhe rehabilitimi (4.08%), informacioni dhe komunikimi (3.39%); bujqësia, pyjet dhe peshkimi (1.03%); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0.85%); aktivitetet financiare dhe sigurimit (8.78%); dhe ndërtimtaria (3.78%).
Ndërsa, rënie shënuan administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me 0.33%.
Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i mallrave dhe shërbimeve 27.63%, importi i mallrave dhe shërbimeve 22.10%, dhe shpenzimet e konsumit final 9.45%. Ndërsa, rënie kishin shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 2.46%.