Ashpërsohet gara ne LDK, nis peticioni për Vjosa Osmanin

Veç edhe pak ditë kanë mbetur që Lidhja Demokratike e Kosovës të bëhet me kryetar të ri, por, ndoshta postin do ta vazhdoj edhe ai i vjetri, Isa Mustafa.

Një gjë e tillë ende nuk dihet, pasi edhe kandidaturat nuk janë publike, shkruan gazeta inFokus.

Por, në përkrahje të një deputeteje të LDK-së, Vjosa Osmanit, ani se nuk është e qartë nëse ajo do synon ndonjë post, është krijuar një peticion online.

Peticioni është nisur nga info ldk.org, që në fakt nuk dihet se kush janë, por që kërkesa e tyre është që Vjosa Osmani të bëhet kryetare e LDK-së dhe kryeminsitre e Kosovës.

E në peticion nuk lihet pa u hedh akuza ndaj kolegëve të Osmanit.

” Fillimisht, ishin Agim Veliu, Lutfi Haziri, Astrit Haraqija, etj që ishin bërë patericë e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj. Të njëjtën traditë e vazhdojë edhe Fatmir Sejdiu, kurse krejt në fund Isa Mustafa e bëri president Hashim Thaçin, i cili e përzuri kokëulur nga karriga e kryeministrit”, thuhet në peticion.

Andaj sipas iniciusve të peticionit, idealja për drejtim të LDK-së është veç Vjosa Osmani.

” Kështu që është ideale që Vjosa Osmani të zgjidhet kryetare e LDK-së. Vetëm Vjosa Osmani ka ditur të përballet me politikanë injorantë si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj me shokët e tyre.

Me Vjosën dhe të rinjtë intelaktual të LDK-së si Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, etj, do të krijohet pas 30 viteve alternativa e re e intelektualëve të rinj të Kosovës, që do ta duan dhe zhvilojnë Kosovën “si një shtet të pavarur dhe demokratik, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe në partneritet të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europës Perëndimore”, që është amanet i Dr. Ibrahim Rugovës, e të cilën amanet nuk e ka plotësuar as Lutfi Haziri, as Fatmir Sejdiu, as Agim Veliu – përkundrazi janë bërë patericë të pushtetit”.

E edhe për kërkesën që Osmani të bëhet kryeministre kanë një shpjegim.

” Fundja, një kryetare femër të një partie e kërkon edhe ambasadori më mik i Kosovës, Philip Kosnett. Pse mos te jetë ajo Vjosa Osmani dhe LDK të prijë edhe në këtë proces ashtu sikurse ka pri në shumë të tjerë.

Krejt në fund ky peticion organizohet për t’i treguar delegatëve të LDK-së se duhet të jenë shumë të vëmendshëm kur të shkojnë në Kuvendin e LDK-së më 3 gusht. Ta votojnë njeriun e duhur për kryetar, njeriut që i jep dinjitet partisë se tyre dhe normalisht fitore, e mos të votojnë për një grusht para njerëz që janë në LDK por komandohen nga SHIKu”. /