ASFALTIMI I RRUGËS DUGAJEVË-POTERÇ I EPËRM, DREJT PËRFUNDIMIT
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Urbanizmit, Enver Berisha, drejtorin e Inspektoratit, Faruk Smajli, drejtorin për Gjeodezi dhe Kadastër, Nikson Daka dhe anëtarin e kuvendit, Luigj Ademi, sot kanë vizituar fshatin Dugajevë, ku kanë parë nga afër punimet për asfaltimin e rrugëve lokale në Dugajevë – Poterç i Epërm, projekt ky me një rëndësi të madhe për banorët dhe i mundësuar në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në kuadër të projektit në vlerë 204 mijë euro, janë asfaltuar 1850 metra rrugë lokale me gjerësi katër metra, në tri segmente si dhe do të bëhet edhe rregullimi i dy urave.
“Asfaltimi i rrugëve lokale përfaqëson një hap përpara drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë së jetës për secilin banor të këtyre dy fshatrave. Kjo, jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin dhe lidhjen mes fshatrave, por do të përmirësojë ndjeshëm edhe sigurinë e të gjithë banorëve që i përdorin këto rrugë çdo ditë.” – ka thënë kryetari Elezaj.