“Edhe vitin e ardhshëm pjesa dërmuese e buxhetit për investime kapitale shkon në projekte të infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe kanalizime”, tregon drejtori i Financave, Aziz Desku projektet që dominojnë në listën e planifikuar për vitin e ardhshëm. Për financimin e projekteve në këto tri fusha, janë parapa dy milionë euro prej shumës së përgjithshme për investime kapitale, që është 3 milionë e 47 mijë euro
Për vitin e ardhshëm Komuna e Klinë do të ketë një buxhet të përgjithshëm prej 11 milionë e 333 mijë euro. Prej këtij buxheti, për investime kapitale janë planifikuar të shpenzohen 3 milionë e 47 mijë euro në projekte të fushave të ndryshme, dhe që janë mbi 400 mijë euro më shumë mjete se në vitin 2021.
Drejtori komunal për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Aziz Desku tregoi për KOHËN se lista e projekteve është përgatitur për vitin 2022 dhe në këtë listë serish dominojnë projektet e infrastrukturës.
“Edhe vitin e ardhshëm pjesa dërmuese e buxhetit për investime kapitale shkon në projekte të infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe kanalizime”, tregon Desku projektet që dominojnë në listën e planifikuar për vitin e ardhshëm.
Për financimin e këtyre projekteve në këto tri fusha, sipas tij janë paraparë dy milionë euro prej shumës së përgjithshme për investime kapitale. Dhe në këto projekte të infrastrukturës serish dominojnë projektet rrugore.
“Ta them të drejtën, tash ne kemi hy në fazën që edhe rrugicat më të vogla jemi duke i asfaltuar. Dhe lista për projekte rrugore është pasqyrë e kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve që i kanë paraqit gjatë vitit”, pohon Desku.
Ndërsa një milion euro tjera për investime kapitale siç tha Desku, janë paraparë për projekte të shërbimeve publike, arsim, shëndetësi, bujqësi.
“Për vitin e ardhshëm janë paraparë kryesisht rinovime dhe mirëmbajtje të objekteve shëndetësore dhe arsimore. Me ndonjë përjashtim të një apo dy shkollave, që janë ma të vjetra e që duhet rinovuar, e gjithë infrastruktura shkollore është e përfunduar në komunën e Klinës. Kurse për ambulanca, ato kanë nevojë dhe çdo vit ndahet një shumë e buxhetit për rinovime dhe mirëmbajtje të objekteve shëndetësore”, tregoi Desku për planin e shpenzimeve të mjeteve tjera të investimet kapitale, por pa treguar shumën e saktë që po ndahet për projekte të shëndetësisë.
Vitin e kaluar në fshatin Ujimir është ndërtuar objekti i ri për zyrën e gjendjes civile dhe ambulancë. Një e tillë është ndërtuar edhe në fshatin Shtupel, por me donacione. “Në këto tjera po intervenohet me mirëmbajtje dhe kryesisht rinovimet po bëhen në objektin e QKMF-së”, tha Desku.
Për objektet shëndetësore, siç tha drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, Haxhi Ibishi ka tepër nevojë për investime kapitale në objektet shëndetësore.
“Ka ambulanca në pjesët rurale që nuk kanë kanalizim, as ujësjellës, e as inventar. Mendoj që ishte dashtë 200 deri në 300 mijë euro në vit të ndahen për projekte të shëndetësisë. Të gjitha 10 ambulancat që i kemi në komunën tonë kanë nevojë për investime”, tregon Ibishi nevojën e ndarjes të më shumë mjeteve për projekte të infrastrukturës së shëndetit primar. Lista e përgjithshme e projekteve për vitin e ardhshëm është përgatitur nga komuna pa mbajtur asnjë dëgjim publik për planifikimin buxhetor për vitin 2022.
Drejtori i Financave, Aziz Desku pohoi se komuna kishte planifikuar mbajten e këtyre dëgjimeve buxhetore, por shkaku i situatës së rënduar dhe masave kundër pandemisë nuk janë mbajtur.
“Për shkak të këtyre masave të pandemisë, provuam me mbajt dëgjime publike me platforma online përmes internetit, por nuk u bë. Ne fakt për vitin e ardhshëm e kemi plotësuar listën e projekteve dhe pjesa dërmuese e projekteve janë bazuar në kërkesat e qytetarëve të shprehura gjatë vitit, por pavarësisht se e kemi listën e përgatitur, megjithatë jemi duke shikuar që t’i mbajmë tri dëgjime publike, ndonëse nuk jemi të sigurt ende nëse arrijmë me i mbajt shkaku i situatës me pandemi”, thotë Desku. Por nëse arrijnë me mbajt këto tri dëgjime publike për planifikim të buxhetit për vitin e ardhshëm, atëherë në listën e propozimit për projekte për vitin e ardhshëm do të përfshihen edhe kërkesat e qytetarëve dhe ajo listë pastaj do i dërgohet Kuvendit Komunal për miratim. “Nëse ka ndonjë propozim në ato takime me qytetarë, ka mundësi që anëtarët e kuvendit, nëse e shohin të arsyeshme, me zëvendësua ndonjë projekt ekzistues në listën e projekteve me ndonjë projekt tjetër bazuar në propozimin e qytetarëve që ka dal në dëgjimet publike”, nuk e përjashton Desku mundësinë e përfshirjes së ndonjë kërkese të qytetarëve në listën përfundimtare të projekteve për vitin e ardhshëm.