Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të premten, ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.
Një njoftim i tillë është bërë i ditur nga një komunikatë për media e IPK-së, ku thuhet se zyrtari policor është nga komuna e Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“IPK-ja ka pranuar mbrëmë informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prishtinë ka kryer veprën penale dhunë në familje. Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas IPK-së, pas veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq aty thuhet se, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi