Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është arrestuar njëri nga oficerët e saj pasi që gjatë monitorimit të kamerave është vërejtur se ka futur gjëra të dyshimta në dhomën e një të burgosuri,
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinion publik se sonte rreth orës 19:28 në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, oficeri i dhomës së kontrollit gjatë monitorimit të kamerave ka vërejtur se në krahun A/2 dhoma 07, njeri nga oficerët e këtij krahu pa autorizimin e lejuar, në mënyrë jo të rregullt, i është afruar dhomës dhe pasi ka biseduar përmes derës së mbyllur me të paraburgosurit e kësaj dhome, i njëjti është përulur dhe përmes fundit të derës ka futur gjera të dyshimta në dhomë”, thuhet në njoftimin për media të SHKK-së.
Nga SHKK po ashtu kanë njoftuar se oficerët korrektues kanë reaguar menjëherë, me ç’rast pas lokalizimit të oficerit të dyshuar dhe organizimit të bastisjes së dhomës, kanë arritur të gjejnë mjete të dyshimta.
“Lidhur me rastin menjëherë janë njoftuar policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim”, përfundon njoftimi