Një person nga Podujeva është arrestuar për kanosje ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Siç mëson KOHA nga një burim brenda komunës, ky kërcënim ka ndodhur par disa ditësh përmes telefonit, me fjalët “Kena me ju vra”.
I dyshuari për këtë kanosje është arrestuar në Podujevë.
“Është ndaluar një person i dyshuar për kanosje të kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Kanosja është bërë përmes telefonit, kurse i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Për më shumë rreth këtij rasti, KOHA kontaktoi shefin e kabinetit të kryetarit, Durim Shermeti, i cili pohoi shkurt se nuk është shumë i informuar për këtë rast.