Një kosovar, që kërkohej nga autoritetet ndërkombëtare për krime ekonomike, është arrestuar në pikëkalimin kufitar të Morinës të martën, ka bërë të ditur Policia e Shtetit në Shqipëri.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë, A.M., 45-vjeçar nga Gjakova, ka qenë i shpallur në kërkim nga Gjermania pasi më 8 qershor 2021 ishte dënuar me një vit e gjysmë burgim për “mashtrim dhe mbajtje të sendeve të vjedhura”.
Policia e Shtetit ka thënë se gjakovari do të ekstradohet në Gjermani.
“Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Kukës, e arrestuan përkohësisht këtë shtetas, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit”, thuhet në njoftim.