Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar për arrestimin e personit të pestë, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Personi i arrestuar është B.B i lindur në vitin 1996. Ai dyshohet se është pjesë e grupit të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë, të datës 22 dhjetor 2021.
I dyshuari i pestë u arrestua në pikën kufitare në Vërmicë, raporton Gazeta Sinjali.
Katër të dyshuarit e tjerë që u arrestuan javën e kaluar janë:
1. Lulzim Pasuli,
2. Besart Grosha,
3. Benjamin Krasniqi dhe
4. Roland Ranci.
Në tetë lokacionet që u bastisën nga Policia, u gjetën dhe u sekuestruan: para, vetura, armë, telefona, laptop, kompjuterë, kontrata, regjistra të ndryshme dhe marrëveshje të nënshkruara mes të pandehurve dhe viktimave.
Ata dyshohet se duke vepruar veç e veç, me dashje dhe me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, viktimave të fajdesë nga të cilët shfrytëzojnë gjendjen e rënduar financiare dhe papërvojën e tyre, u kanë ofruar shuma të të hollave në formë të borxhit, të cilët më pas i kanë ngarkuar me kamata të larta dhe të papërballueshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.