Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka kryer një aksion ku është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, PSRK njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy euro të falsifikuara.
Ndërkaq, tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.
“Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë”, thuhet në njoftim.
Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brena afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.