Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).
Arrestimi i këtij zyrtari policor është bërë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së.
“Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (video-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu u theksua se ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjti pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”